Rrahman Jasharaj e fitoi ‘betejën’ e parë kundër qeverisë, MASHTI ka një thirrje për drejtoritë komunale të arsimit
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka fituar ‘betejën’ e parë kundër qeverisë, pasi MASHTI, përmes një komunikate u ka bërë thirrje drejtorive komunale të arsimit që të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla.
Përmes një komunikate për media, MASHTI thotë se kanë informacione për presione të shumta politike tek shkollat.
“Përkundër se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, nga informatat jo të plota, kryesisht komunikim i zyrtarëve të MASHTI me zyrtarë komunal jemi informuar që shumica e shkollave në Kosovë nuk kanë mbajtur mësim për shkak të grevës së shpallur nga BSPK. Sipas të dhënave të Ministrisë, situata dallon nga shkolla në shkollë, ku në disa ka nisur procesi mësimor e në disa të tjera mësimi është mbajtur pjesërisht”, thuhet në komunikatën e tyre.
Kjo ministri thotë se dyert e shkollave nuk duhet të mbyllen, kjo sipas tyre është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim.
“Duke respektuar të drejtën e atyre që janë në grevë presim që të respektohet edhe e drejta e mësimdhënësve të cilët nuk janë në grevë dhe duan të punojnë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë ju bënë thirrje Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i përgjigjen obligimit dhe të mbajnë komunikime në vijë institucionale rreth vijueshmërisë së procesit mësimor në shkolla.
Dyert e shkollave nuk duhet të mbyllen. Humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim”, thuhet tutje në komunikatë.