Rrahje në Prizren: Një person godet me mjet të fortë 39-vjeçarin, përfundon në ndalim policor

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje rreth orës 15:00 në rrugën e Ulqinit në Prizren, ku si pasojë e një mosmarrëveshjeje, një person ka sulmuar fizikisht një 39-vjeçar.

Sinjali mëson se i dyshuari e ka grushtuar dhe më pas e ka goditur me një mjet të fortë viktimën, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ku ndër të tjera kanë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë që monitorojnë atë zonë.

I dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Gazetari i BBC-së ‘vë bast’ 10 euro se s’do të ketë marrëveshje në Ohër