Rrahje mes të miturve në Gjakovë, 16-vjeçari përfundon në spital

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një përleshje fizike ka ndodhur dje në rrugën ‘UÇK’ në Gjakovë, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një të mitur.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 16-vjeçari është dërguar atje për tretman mjekësor, si pasojë e lëndimeve që kishte marrë nga rrahja.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të miturit është stabilizuar dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas veprimeve hetimore, është arritur që të identifikohet dhe të shoqërohen në Polici të miturit e dyshuar, të cilët kishin ikur nga vendi i ngjarjes menjëherë pas kryerjes së veprës.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që njëri prej të dyshuarve të dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri do të hetohet në liri për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Lexo edhe:  Tha se nuk ka bërë dasmë, dalin fotot e Ilnisës me bashkëshortin dhe vajzën