Rrahje masive në burgun e Dubravës, shtatë të burgosur kapen keq me njëri-tjetrin

Një mosmarrëveshje për shfrytëzimin e telefonit në burgun e Dubravës ka shkaktuar përleshje masive mes të burgosurve, sot në orët e mëngjesit. Në rrahje janë përfshirë shtatë persona, që ishin në vuajtje të dënimit për vepra të ndryshme penale dhe që të gjithë janë të moshave të reja.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht në përleshje janë përfshirë tre të burgosur, dy prej të cilëve kanë rrahur një tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore. Si masë parandaluese që të mos eksalohet situata, oficerët i kanë larguar dy të dyshuarit nga pavijoni ku gjendeshin për t’i transferuar në një tjetër.

Sinjali mëson se përleshja vazhdoi aty, ashtu që dy të dyshuarit e parë janë sulmuar nga katër të burgosur të tjerë, me ç’rast edhe ata kanë pësuar lëndime, për çka kanë marrë trajtim mjekësor.

Ndërkohë, burimet thonë se për përleshjen është njoftuar edhe Prokuroria, që ka urdhëruar inicimin e rastit për “Lëndim të lehtë trupor”.

Lexo edhe:  24-vjeçari nga Suhareka tenton të vetëvritet, konsumoi sedativë pa kontrollë