E dhimbshme: Kjo është gruaja që u vra sonte në QKUK, sonte priste të lindte fëmijën

Një ngjarje mizore ka ndodhur sonte në QKUK, ku një person dyshohet se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë.

Burimet nga QKUK-ja bëjnë me dije për Sinjalin se bëhet fjalë për Hamide Magashin, 35-vjeçare, nga fshati Llugagji i Lipjanit.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë krim të rëndë ndodhet në arrati, ndërkohë që Policia ka aktivizuar ekipin hetimor, njësitin e Forenzikës dhe ka filluar operacionin për identifikimin dhe kapjen e tij.

Menjëherë pas raportimeve për vrasjen e gruas shtatzënë, Policia e Kosovës e ka konfirmuar vrasjen.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë zyrtarja e për Informim e Policisë, Flora Ahmeti.

Më vonë, lajmin se viktima u qëllua për vdekje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë e konfirmoi edhe vetë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Lexo edhe:  Ushtarët e FSK-së pjesë e garës për Luftëtarin më të Mirë të shtetit të Iowas