Rrahje brutale për një fjalë goje në një kafeteri të Gjilanit, tre persona ia thyejnë këmbën 43-vjeçarit

Një përleshje brutale mes disa personave ka ndodhur në kafeterinë “Te Kujtimi” mbrëmë pas mesnate në rrugën “Xhemajl Ymeri” në Gjilan, ku disa persona u përfshinë në rrahje, njëri prej të cilëve ka pësuar lëndime të rënda trupore. Tre të dyshuarit për këtë rast tashmë kanë përfunduar në ndalim policor, ndërkohë që Sinjali ka mësuar detajet e ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, burimet nga Prokuroria thonë se rasti ndodhi pas një mosmarrëveshje mes të dyshuarve, të cilët u rrahën me njëri-tjetrin 3 vs 1, duke pësuar edhe lëndime trupore. Tre burrat e dyshuar u kapën me të dyshuarin tjetër i cili ishte bashkë me një grua.

Përleshjes mes tyre i parapriu debati verbal derisa dy palët ndodheshin në tavolina dhe nisën një zënkë, e cila eskaloi në sulm fizik. Për pasojë, i dyshuari që u sulmua me grushte e shqelma nga tre të tjerët theu këmbën, teksa lëndime pësoi edhe gruaja që ishte me të.

Për të mos u tensionuar situata edhe më tej, dikush e njoftoi Policinë në lidhje me incidentin, me ç’rast një patrullë policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka arrestuar të dyshuarit, teksa viktimat janë dërguar në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Të dyshuarit për këtë rast kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Lexo edhe:  Vushtrri: Burrë e grua kapen pas zënkës në parkingun e një marketi, përfundojnë në Polici