Rrahje brutale në Hajvali: Gjakoset një 23-vjeçar, i dyshuari arrestohet nga Policia

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Hajvali, ku dy persona janë përfshirë në një rrahje, ku njëri prej tyre tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë një 31-vjeçar dhe një 23-vjeçar, të cilët janë kapur për motive akoma të panjohura dhe për pasojë i dyshuari i dytë ka marrë lëndime të rënda trupore.

Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para dhe deklaratat e disa dëshmitarëve për incidentin që ka ndodhur.

I dyshuari që pësoi plagë të rënda ka marrë trajtim mjekësor dhe është lënë i lirë, ndërsa i dyshuari tjetër pas intervistimit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa edhe ndaj të dyshuarit tjetër kanë nisur hetimet.

Lexo edhe:  Të rinjtë ‘merakli’ të armëmbajtjes pa leje, një 28-vjeçar thotë se posedon armë për shkak se mban shumë para