Rrahja mes anëtarëve të një familje në Drenas: Këta janë babai dhe dy djemtë që u përleshën me 49-vjeçarin

Një mosmarrëveshje në mes të disa familjarëve në fshatin Krajkovë të Drenasit eskaloi të dielën pasdite në përleshje brutale. Katër persona u arrestuan si të dyshuar për rastin dhe të njëjtit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Tre persona në njërën anë janë rrahur me një tjetër, të gjithë nga familja Buzaku.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të dyshuarit që përfunduan në pranga të Policisë janë Rizah Buzaku (75) me dy djemtë e tij, Ibrahimin (42) dhe Faikun (44), si dhe i dyshuari me të cilin u rrahën, Tahir Buzaku (49).

Si pasojë e përleshjes, lëndime trupore kanë marrë të gjithë të dyshuarit, si dhe bashkëshortja e të dyshuarit Tahir Buzaku, e cila ka tentuar t’i ndalojë të dyshuarit.

Palët e përfshira kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sinjali mëson se Policia ka sekuestruar një armë zjarri, shkop druri e disa fishekë dhe po ashtu janë bastisur shtëpitë e të dyshuarve, ku po ashtu është gjetur edhe një armë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

Lexo edhe:  Arrin përgjigja e parë nga Interpoli, mësohen detaje të reja për sulmin në Top Channel