Rrahet dhe theret me thikë pronari i një shtëpize në ‘sheshin e ri’, dy të arrestuar – një në arrati
“Tregu i fundvitit” është aktivitet kulturor që Komuna e Prishtinës ka organizuar sivjet në prag të festave të fundvitit ku po mbahet “sheshi i ri” te Katedralja dhe mbushet çdo dite me qytetarë të cilët kalojnë momente argëtimi së bashku. Ndryshe prej çdo nate tjetër ka përfunduar nata e mbrëmshme aty, ku dyshohet se u sulmua brutalisht pronari i një shtëpize.
Tre persona, dy prej të cilëve tashmë janë identifikuar, po dyshohen se pas një mosmarrëveshje me viktimën e kanë sulmuar të njëjtin me grushte, ndërsa njëri prej tyre edhe e ka therur me thikë disa herë, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Rrahja brutale ka ndodhur para orës 00:00, kur i dyshuari kryesor arriti të ikë nga vendi i ngjarjes, teksa dy të dyshuarit e tjerë u kapën dhe u shoqëruan në stacion policor për intervistim.
Në anën tjetër, pronari i shtëpizës i cili u sulmua është dërguar menjëherë në QKUK për trajtim mjekësor, ku iu është nënshtruar një ndërhyrjeje, ndërsa gjatë gjithë kohës ka qenë nën sigurimin e një njësie policore.
Burimet e Sinjalit thonë se ajo që dihet deri më tani është se ndaj dy të dyshuarve që u arrestuan për lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje tashmë janë iniciuar rastet, kurse kanë nisur hetimet për kapjen edhe të dyshuarit që e theri me thikë viktimën.