Rohde: Mund të mos iu pëlqej ta dëgjoni, por Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur sërish për sulmin të grupit të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e përleshjeve me armë, mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Rohde është shprehur se ky ka qenë sulm vrastar dhe qyqar kundër policëve në detyrë, teksa ka bërë të ditur se Gjermania ka kërkuar nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente dhe t’i sjellë në llogaridhënie përgjegjësit.

“Bashkimi Evropian e ka klasifikuar si sulm terr****, i dërguari ynë për Ballkanin Perëndimor e ka quajtur ashtu, edhe unë vetë e kam përdorur atë term. Ka qenë sulm vrastar, qyqar kundër policëve në detyrë si dhe kemi kërkuar dënimin e kryesve të tillë. Shpresojmë që edhe kjo të ndodh. Ne kemi kërkuar qartë nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente si dhe t’i sjellë përgjegjësit në llogaridhënie. Unë jam tërësisht kundër shpërqëndrimit të procesit të dialogut me anë të sulmit terrorist”, ka thënë ai.

Diplomati gjerman ka theksuar se sërish duhet një zgjidhje politike, ndërkohë që ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut.

Më tej Rohde ka thënë qartë që i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e kanë përkrahjen e plotë të tyre.

Lexo edhe:  Një person plagos veten aksidentalisht në bjeshkën e Lumbardhit, dërgohet në QKUK