Dhunë në Lipjan, burri rrah gruan pasi e zuri djalin 20-vjeçar duke pirë duhan

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në Lipjan, ku burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një kafene në Lipjan, ku gruaja kishte dalë për kafe me djalin e saj 20-vjeçar. Në ato momente, kryefamiljari ka hasur në ta dhe ka vërejtur djalin duke pirë cigare, çka është bërë mollë sherri mes çiftit.

Bazuar në dëshminë e 39-vjeçares dhënë organeve të hetuesisë, pasi është kthyer në shtëpi, bashkëshorti i saj ka eskaluar në dhunë fizike ndaj saj. E njëjta ka pohuar se kjo nuk është hera e parë që ka përjetuar dhunë nga bashkëshorti, pasi vazhdimisht kanë telashe me njëri-tjetrin.

Në kuadër të veprimeve hetimore, është marrë edhe dëshmia e 20-vjeçarit, i cili ka deklaruar se ka pasur një konflikt verbal me babanë e tij pas asaj që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit, pasi i njëjti me të kryer veprën që dyshohet, është arratisur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Zyra e Gjykatës Speciale në Beograd – kur u hap dhe kush e udhëhoqi atë?