Reagim i OVL-UÇK-së: Preket gjaku i dëshmorëve kur sulmohet flamuri i UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ndaj sulmeve dhe përpjekjeve për të mohuar praninë e flamurit të UÇK-së dje në ndeshjen Shqipëri-Serbi.

Në një komunikatë të publikuar nga OVL-UÇK, thuhet se flamuri i UÇK-së përfaqëson gjakun e dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës dhe amanetin e tyre, ndërsa çdo përpjekje për të ndaluar praninë e tij është një “therje në shpirt” për familjet e dëshmorëve dhe për çdo shqiptar që mban në zemër luftën për liri.

“Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë,” theksojnë veteranët.

Organizata kërkon respekt dhe ndjeshmëri për këtë simbol që përfaqëson sakrificën dhe luftën e UÇK-së, duke theksuar se kjo çështje nuk duhet të përdoret për qëllime politike, pasi kujtesa është e shenjtë.

OVL-UÇK fton të gjithë që të tregojnë kujdes dhe respekt ndaj historisë dhe luftës së dëshmorëve, për të ruajtur amanetin e tyre dhe bashkëjetesën në paqe.

Lexo edhe:  Ky është i arrestuari që dyshohet se e ngacmoi mbrëmë një grua te parku i Gërmisë