Rasti i fajdes në Gjilan: Bie në prangat e Policisë edhe një person i dyshuar

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas operacionit të javës së kaluar, ka arrestuar edhe një person në Gjilan, si i dyshuar për përfshirje në rastin e fajdes, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, me ç’rast ka njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Në lidhje me rastin, më 24.06.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

Operacioni i 21 qershorit rezultoi me arrestimin eMefail dhe Edonis Shkodrës dhe shpalljen në kërkim të Albert Rexhepit, i njohur si Albert Malisheva.

Ky aksion u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim”.

Personat që janë cak i këtij hetimi dyshohen se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro, raporton Sinjali.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë trafiku në Qikatovë të Drenasit, dy persona dërgohen në QKUK