Rasti i dhunimit të 13-vjeçares nga Suhareka – Prokuroria kërkon paraburgimin e dy të dyshuarve

Dje u raportua për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.

Dy të ndaluarit Durak Daka dhe Planet Berisha po hetohen për veprën penale “Dhunimi” dhe shumë shpejtë pritet të dalin para gjykatës.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti – Sejrani, e cila tha ndaj të dyshuarve është bërë kërkesa për paraburgim.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dy (2) persona me inicialet D.D., dhe P.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për dy (2) të dyshuarit prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Për shkak të ndjeshmërisë dhe konfidencialitetit të rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera.” – thuhet në përgjigje.

Çka dihet për ngjarjen e trishtë?

Siç raportoi Sinjali, edhe Policia e konfirmoi se rasti u zbulua pasi  13-vjeçarja nga Suhareka u denoncua e zhdukur nga familja e saj dhe Policia arriti ta gjejë atë në qytetin e Vushtrrisë. E mitura ishte raportuar e zhdukur më 16 mars dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj, deri më 18 mars, ku një njësi policore ra në gjurmët e saj.

Sipas informacioneve të para, vajza 13-vjeçare gjatë kësaj kohe ka qëndruar me dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të. Daka dhe Berisha dyshohen se e kanë dhunuar vajzën në disa motele të ndryshme.

Lexo edhe:  Mbesa e lajmëron rastin në Polici: Daja i gjendet i vdekur në banesë

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasi vajza u gjet, është dërguar në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për t’i kapur personat e dyshuar dhe si rezultat të dyshuarit janë arrestuar.