Rast i rëndë për familjen Olluri, kjo është 30-vjeçarja që vdiq 3 muaj pasi u aksidentua në Prizren
Pas tre muajsh trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka humbur jetën 30-vjeçarja që u aksidentua në fillim të dhjetorit në fshatin Korishë të Prizrenit. Sinjali raportoi sot se përkundër intervenimeve nga stafi mjekësor, ajo fatkeqësisht nuk mbijetoi dhe vdiq mëngjesin e sotëm.
Burimet e Sinjalit nga QKU-ja kanë bërë me dije se ky rast i rëndë ka ndodhur në familjen Olluri, të cilët e morën lajmin e hidhur për vdekjen e Teutës.
Teuta Olluri ishte pasagjere në njërën nga dy veturat që u ndeshën mes vete më 8 dhjetor dhe për pasojë, përveç saj u lëndua edhe një person tjetër. Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Për vdekjen e saj, nga spitali është njoftuar edhe Policia, me ç’rast kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës i është liruar familjarëve për ceremoninë mortore.