Rast i rëndë: Një punëtor bie nga kulmi i shtëpisë ku punonte, vdes në QKUK
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mëngjes, ku një punëtor i një kompanie ka humbur jetën pasi pësoi lëndime të rënda trupore derisa ishte duke punuar në Novobërdë. Viktima vdiq pasi u dërgua në QKUK, ndërkohë që tashmë Policia ka nisur hetimet në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit nga Emergjenca, që njoftuan se vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar, teksa trupi i pajetë më pas është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion.
Siç mëson Sinjali, viktima ishte duke punuar në kulmin e një shtëpie, prej ku dyshohet se ka rënë.
I ndjeri fillimisht është dërguar në Spitalin e Gjilanit e më pas në QKUK, ku përkundër intervenimeve nuk arritur të mbijetojë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe Inspektorët e Punës për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Lidhur me rastin, tashmë është iniciuar hetimi për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.