Rahovec: Një punëtor rrëzohet nga skelet duke punuar, dërgohet me urgjencë në spital

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Rastet më të shpeshta ndodhin në sektorin e ndërtimtarisë, ku kushtet në plot kompani po vazhdojnë të jenë të këqija, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i lëndimit në vendin e punës ka ndodhur edhe sot në mëngjes, në rrugën “UÇK” në Rahovec, ku një person që po kryente punë ndërtimore në një objekt, ka rënë nga skelet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës në Spitalin Rajonal në Gjakovë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 45-vjeçar, i cili është dërguar në këtë qendër për ndihmë mjekësore.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, punëtori ka pësuar frakturë në krah, por gjendja shëndetësore e tij është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët bashkë me Inspektoratin e Punës kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Lexo edhe:  “Bombardimet e NATO-s nuk ishin për paqe”, dëshmia kontroverse e ushtarakut amerikan