Ra nga një lartësi derisa po punonte në Dragash, 63-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK
Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në Brod të Dragashit, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës të Spitalit Rajonal në Prizren kanë bërë me dije se një 63-vjeçar është dërguar atje në gjendje të rëndë.
Pas dhënies së ndihmës së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Sinjali mëson se gjendja e tij vazhdon të mbetet e rëndë dhe i njëjti pritet t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia të cilët bashkë me Inspektoratin kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Viktima dyshohet se ka rënë nga një lartësi derisa po kryente punë ndërtimtarie.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.