Qytetari me dy identitete arrestohet në ambasadën hungareze, kërkonte me zor pasaportën

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të hënën në Ambasadën e Hungarisë në Prishtinë, ku një person i dyshuar është futur në objekt dhe ka rezistuar të largohet pavarësisht urdhrave të personave zyrtarë.

Ky veprim i kushtoi të dyshuarit me arrestim, pasi Policia intervenoi.

Siç merr vesh Sinjali, personi i dyshuar, me dy identitete po dyshohet se shkoi në ambasadën hungareze mëngjesin e së hënës dhe ka kërkuar që ta marrë pasaportën, pa përfillur hapat që duhet ndërmarrë.

Nga një zyrtare e ambasadës i është kërkuar të dyshuarit që të largohet nga objekti pasi nuk mund ta marrë dokumentin për shkak të refuzimeve.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se qytetari i revoltuar ka vazhduar që të qëndrojë në ambasadë, duke kushtëzuar se nuk largohet pa e marrë pasaportën hungareze.

Përballë kësaj situate, nga ambasada e kanë denoncuar rastin në Polici dhe kanë kërkuar ndihmë.

Si rezultat i raportimit, njësitet policore e kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, të njëjtat burime thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”.

Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim deri në 3 vjet nëse dikush “pa autorizim apo në mënyrë të kundërligjshme hyn në banesë ose në objektin e mbyllur të personit tjetër apo nuk largohet nga objektet e tilla sipas kërkesës së personit të autorizuar”.

Lexo edhe:  Ministrja Hajdari paralajmëron çmim “tavan” edhe për bukën, ashtu si për derivatet e naftës