QKUK-ja përgënjeshtron ministrin Vitia, raporti për pishinat ende nuk i është dorëzuar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, javë më parë deklaroi se e ka pranuar raportin për mosfunksionalizimin e pishinave për hidroterapi. Por atë e ka demantuar Qendra Klinike Universitare, sipas së cilës dokumenti ende nuk i është dorëzuar ministrit

Qendra Klinike Universitare (QKUK) ka përgënjeshtruar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili gati dy javë më parë u shpreh se e ka pranuar raportin e kërkuar nga ky institucion për arsyet e mosfunksionalizimit të dy pishinave për hidroterapi.

Për këtë problem, për të cilin Vitia tha se ishte njoftuar tek pas raportimit të KOHËS, në konferencën e 3 prillit deklaroi se e posedon raportin.

“Po, raporti më është dorëzuar, janë të gjetura arsyet pse ka ndodhur. Janë masat e rekomanduara dhe natyrisht ashtu siç thashë edhe më herët për kolegun e juaj, përmes një emaili në kërkesën e juaj në këtë raport, besoj që shumë shpejt do ta merrni… Sigurisht e keni bërë para se të vijë raporti. Raporti ka ardhur nga mesi i kësaj jave”, pati thënë Vitia.

Po atë ditë, KOHA e ka përsëritur kërkesën me email për qasje në këtë raport. Por, deri të mërkurën, Ministria nuk e ka vënë atë në dispozicion, pavarësisht disa kërkesave që janë bërë.

E dymbëdhjetë ditë pas kësaj deklarate të ministrit Vitia, në QKUK thanë se raporti ende nuk i është dorëzuar ministrit.

“Raporti lidhur me çështjen e mosfunksionalizimit të dy pishinave në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit tashmë është i përgatitur. Gjatë procesit të hartimit është kërkuar informata shtesë nga komisioni për të siguruar që raporti të jetë sa më i plotë dhe i saktë. Aktualisht, raporti është në procedurë dhe do t’i përcillet Bordit Drejtues, i cili më pas do ta shqyrtojë dhe do t’ia paraqesë ministrit të Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Lexo edhe:  Të shtëna në Ferizaj: I riu gjuan me armë pasi refuzuan t’i shërbenin alkool në një ‘Internet Caffe’

KOHA ka raportuar në muajin shkurt se dy pishina të destinuara për hidroterapi ishin mbushur me ujë vetëm për ditën e përurimit, më 29 dhjetor 2022, ku pjesëmarrës ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri Vitia.

Vitia tha se për mosfunksionalizimin e tyre prej gati tre vjetësh ishte informuar nga raportimi në media, për çka deklaroi se ka kërkuar përgjegjësi nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së dhe Bordi Drejtues.
Pishinat i përkasin Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit dhe u shërbejnë pacientëve për hidroterapi.