Qeveria vazhdon të heshtë për pagat, minatorët në protestë të enjten
Minatorët e Trepçës do të protestojnë të enjten para objektit të Qeverisë për mosekzekutimin e pagave tash e tre muaj. Sikurse herët e kaluara, ekzekutivi ka vendosur të heshtë ndaj interesimit të televizionit lidhur me këtë çështje, ashtu siç kanë detaje nuk kanë dhënë as nga Ministria e Ekonomisë dhe ushtruesi i detyrës së ekzekutivit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti.
Pas mosrealizimit të premtimit se pagat do t’iu ekzekutohen të hënën, minatorët e Stan-Tërgut kanë vendosur t’i japin fund pritjes për ta shënuar me veprime sindikaliste.
Mesditën e së enjtes, të njëjtit do protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës.
E kërkesa e tyre, mbetet po e njëjta.
Lajmin për protestën e ka konfirmuar edhe Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
Por, që kur Trepça është në gjendje të rëndë e edhe më të rëndë e kanë situatën minatorët që janë pa paga për afër 3 muaj, Qeveria e Kosovës, si aksionare e kësaj ndërmarrjeje, nuk është përgjigjur as këtë të martë në asnjë prej pyetjeve të televizionit.
E nga Ministria e Ekonomisë, kanë thënë se janë udhëzuar verbalisht se çdo pyetje dërguar këtij dikasteri me çështjen e pagave, të bazohen tek njoftimi i lëshuar nga Zyra e Kryeministrit javë më parë, gjersa kanë deklaruar se nuk kanë ende përgjigje konkrete për pyetjet.
Heshtjen nuk e ka thyer as ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Trepçës, Faton Ahmeti ani pse i njëjti, ka pranuar pyetjet e televizionit, sot dhe që nga ardhja në detyrë.
Në Trepçë punën po e vazhdojnë vetëm disa minatorë në pjesë që janë jetike për funksionimin e minierës në mënyrë që e njëjta të mos përmbytet