Qeveria s’po e zbaton marrëveshjen me minatorët, sërish detyrohen të hynë në grevë për paga

Qeveria e Kosovës sërish s’është duke e zbatuar marrëveshjen me minatorët e Trepçës, atyre s’u janë ekzekutuar pagat akoma për muajin qershor.

Për këtë arsye ata kanë hyrë tash e pesë ditë në grevë.

Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Destan Kërleshi, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se marrëveshja që ishte arritur me Qeverinë e Kosovës s’është duke u zbatuar.

“Ne jemi në grevë për mosrealizimin e pagave për muajin qershor edhe përse do të duhej t’i pranonim pagat deri më datën 10 sipas marrëveshjes që kemi bërë me Qeverinë, e njëjta s’po zbatohet. S’është zbatuar as këtë muaj e as muajin e kaluar”, ka thënë Kërleshi për Albanian Post.

Edhe në muajin qershor, minatorët kishin hyrë në grevë për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin maj.

Në muajin nëntor, minatorët kishin qëndruar në grevë për 10 ditë kështu duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë – pas kësaj greve tejet të gjatë ishte arritur marrëveshje me Qeverinë, por që e njëjta vazhdimisht nuk po zbatohet.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Lexo edhe:  Dy burra në Ferizaj kapen për perde, bëhen llom mes vete

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.