Qeveria ndan 10 milionë euro për skemën e re / Kush janë përfituesit?
Qeveria e ka votuar një ndryshim në vendimin e para një viti për aprovimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kësaj pakoje, Qeveria në një mbledhje elekronike të mërkurën ia ka shtuar edhe masën “Qeveria për familjen”, për të cilën do të ndahen 10 milionë euro.
“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Me këtë skemë qeveria synon që çdo familje të ketë së paku një të punësuar. Me këtë pako për gjashtë muaj, Qeveria e Kosovës do t’i subvencionojë bizneset deri në 70% të pagës për çdo të punësuar që vjen nga familjet që s’kanë asnjë të punësuar.
Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media kishte treguar kriteret për bizneset dhe të papunët që duan të përfitojnë nga masa e fundit e Qeverisë për “punësim të garantuar”.