Qeveria iu ndan shtesa fëmijëve dhe pensionistëve për fundvit

Fëmijët dhe pensionistët do të marrin nga 100 euro shtesë këtë fundvit, tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria pritet ta miratojë sot këtë vendim.

“Besoj ju kujtohet premtimi që çdo vit secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro”, tha Kurti.

Ai tha se po planifikojnë “që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje, duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues”. Kjo, sipas Kurtit, “që të ketë dallim në mbështetje” dhe që “ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë”.

“Për të gjithë pensionmarrësit këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme, do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 eurove, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha Kurti.

Ministria e Financave do të njoftojë për detajet rreth ekzekutimit të shtesave.

Lexo edhe:  Burri në Lipjan e bën për spital bashkëshorten, përfundon në ndalim policor