Qendër spiunazhi?: Në objektin tek policia ofroheshin shërbime mjekësore të kundërligjshme

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë detaje mbi aksionin e zhvilluar dje në një objekt ngjitur me stacionin kryesor të Policisë, së cilës mediat iu referuan si objekt ku “dyshohej se zhvillohej aktivitet spiunazhi”.
Në një komunikatë dërguar sot mediave, Prokuroria në Prishtinë ka thënë se në atë objekt, operonte një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, shkruan lajmi.net.

Dyshohet se aty, ofroheshin shërbime shëndetësore ilegale.

Prokuroria tha se janë intervistuar dy persona në cilësi të të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësi të dëshmitarëve.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024, se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë së bashku me prokurorin e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda- Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës- Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së.

Gjithashtu, ju njoftojmë se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë

Lexo edhe:  Qytetari arriti të kursejë nga bojIeri mbi 300 kWh për një muaj