Qejf me para të shtetit: Thaçi i VV’së jep tender 10 mijë euro për kafe e çaj në komunë

Komuna e Obiliqit, e udhëhequr nga Halil Thaçi i Vetëvendosjes, ka dhënë një kontratë për shërbime bufeje në vlerë prej 9,840.70 euro.  Në këtë procedurë është pranuar vetëm një ofertë, dhe kontrata i është dhënë te njëjtës kompani, shkruan Gazeta Metro

Në Komunën e Obiliqit, duket se kafeja dhe çaji kanë marrë prioritet të veçantë. Nën drejtimin e kryetarit Halil Thaçi nga radhët e Vetëvendosjes, afro 10 mijë euro do të shpenzohen për shërbime byfeje, përmes një tenderi ku në garë ishte vetëm një operator ekonomik, që në fund edhe e fitoi kontratën.

Bëhet fjalë për kontratën me numër 614-26-390-2-3-6/C593, e cila ka të bëjë me “Shërbimet e byfes për Komunën e Obiliqit”. Kontrata është dhënë më 31 mars 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 1 prill 2026.

Në këtë procedurë është pranuar vetëm një tender, dhe kontrata i është dhënë operatorit ekonomik D.P.H. “IN – GOJ”, me seli në Obiliq.

Vlera totale e kontratës arrin në 9,840.70 euro.

Sipas kushteve të kontratës, operatori obligohet të furnizojë byfenë me inventar të ri dhe të sigurojë standarde të hotelerisë për produktet që ofron. Ai gjithashtu mban përgjegjësi të plotë për çdo dëm eventual në objekt, përfshirë edhe ato nga zjarri apo neglizhenca e stafit.

Në aspektin e stafit, kërkesat janë të detajuara: punëtorët duhet të jenë të aftë të komunikojnë, të kenë certifikata shëndetësore, të mos jenë nën ndikimin e alkoolit apo drogës dhe të mbajnë uniforma të pastra, me ngjyra të qelta apo pastel. Madje, uniformat nuk lejohen të vishen jashtë objektit.

Operatori duhet të ofrojë shërbime jo vetëm në byfe, por edhe nëpër zyra, sipas kërkesave të stafit komunal. Orari i punës është nga 07:30 deri në 16:00, me mundësi zgjatjeje deri në 20:00 në raste të veçanta.

Lexo edhe:  Syla kritikon Luan Krasniqin: Do të kujtohet si trim i ringut e frikacak i luftës për vendin e tij – Klitschko në kulmin e famës dhe pasurisë iu bashkua luftës në Ukrainë

Lista e produkteve të planifikuara për vitin 2026 tregon qartë fokusin e këtij tenderi:

3350 makiato të mëdha

2507 makiato të vogla

960 kafe espresso

350 Nes kafe

980 çaj

860 lëngje

1450 ujë

Të gjitha këto produkte duhet të kenë çmime fikse dhe të përfshijnë të gjitha taksat, përfshirë edhe TVSH-në.

Ndër të tjera, kompania fituese duhet të mbajë evidencë të saktë për çdo porosi nga zyrtarët komunalë dhe të dorëzojë fatura mujore të shoqëruara me dëshmi nënshkrimi për shërbimet e kryera.

Pra, për afro 10 mijë euro dhe me një operator të vetëm në garë, Komuna e Obiliqit ka vendosur të sigurojë që kafeja, çaji dhe pijet e tjera të mos mungojnë as në byfe, e as nëpër zyra