Punëtori i “Trepçës” ndëshkohet me gjobë prej 30% të pagës mujore për 4 muaj
Ndërmarrja “Trepça” ka njoftuar se Komisioni Disiplinor i kësaj ndërmarrjeje ka shqiptuar një masë ndëshkuese ndaj një punëtori për shkelje të rëndë të detyrave të punës, shkruan “Jepi zë”.
Sipas njoftimit zyrtar, më 4 gusht 2025 është mbajtur shqyrtimi publik për rastin e punëtorit H.F., ku është konstatuar se ai kishte refuzuar pa arsye të kryejë detyrat e punës apo urdhëresat nga personat kompetentë. Kjo përbën shkelje të rëndë, sipas nenit 10, paragrafi 1.12 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të “Trepça” Sh.A.
Në bazë të këtij konstatimi, Komisioni Disiplinor ka rekomanduar shqiptimin e masës disiplinore – dënim me para-gjobë në lartësi prej 30% të pagës mujore për një periudhë deri në 4 muaj.
Më të njëjtën datë, Kryeshefi Ekzekutiv ka marrë vendimin për zbatimin e këtij dënimi ndaj z. H.F., duke e miratuar masën e propozuar.