Punëtorëve të Flotacionit të Trepçës nuk iu ekzekutohen pagat, paralajmërojnë protesta publike
Pagat e punëtorëve të Flotacionit të Trepçës nuk janë ekzekutuar ende dhe për këtë ka reaguar Sindikata e Pavarur të Minatorëve të Trepçës.
Sipas reagimit, punëtorët e Flotacionit dhe sigurimit fizik janë përballur me një “padrejtësi të radhës dhe diskriminim të hapur”
Në rast se nuk rregullohet kjo çështje, Sindikata ka paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të forta sindikale dhe protesta publike.
Sindikata ka thënë se kjo situatë po ndodh në “heshtjen e plotë” të Ministrisë së Linjës, Bordit dhe Menaxhmentit të Ndërmarrjes.
Sipas tyre, kjo është fyerje për çdo punëtor që rrezikon jetën çdo ditë pune.
“Pavarësisht sakrificave ditore në kushte ekstreme pune, pa furnizime, pa investime, kur ne arrijmë rekorde prodhimi për vite me radhë, ju institucionet përgjegjëse heshtni, duke na shpërblyer me zero. Ky është fyerje për çdo punëtor që rrezikon jetën çdo ditë pune mbi tokë, nën tokë!”, thuhet në reagim.
Mes të tjerash, ata janë shprehur se minatorët nuk janë “numra”.
“Minatorët nuk janë numra! Janë njerëz që punojnë me dinjitet në vendin më të vështirë dhe më të rrezikshëm të punës. Stop lojërave me jetën dhe djersën e tyre!”, thuhet tutje në reagim.