Publikohet një video e Kurtit duke notuar në një pishinë të Bajë të Malishevës, Musliu: Ky është realiteti i pushtetit që pretendon se është pranë qytetarëve

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka publikuar një video ku pretendohet se shihet deputeti Albin Kurti në një pishinë në Bajë të Malishevës.

Në postimin e saj, Musliu ka kritikuar Kurtin, duke thënë se në kohën kur deputetët e PDK-së po zhvillonin aksionin para ndërtesës së Qeverisë, ai ndodhej në pishinë, transmeton lajmi.net.

“Sot, në orën 7:30 të mëngjesit, kur ne po e prisnim para zyrave të Qeverisë, deputeti Albin Kurti po bënte qejf bashkë me bashkëpartiakët e tij, Gani Krasniqi e Valon Hoti, në pishinë, në Bajë të Malishevës.”
Musliu pretendon gjithashtu se Kurti ishte i shoqëruar nga një numër i madh pjesëtarësh të sigurimit.

“Ne po prisnim para Qeverisë. Ai po notonte, i rrethuar nga një ushtri sigurie, larg zhurmës së kryeqytetit i rrethuar me disa dhjetëra pjesëtarë të sigurimit, brenda dhe jashtë pishinës.”
Në fund të postimit, deputetja e PDK-së e ka kritikuar Kurtin për atë që e cilëson si distancë nga qytetarët.

“Ky është realiteti i pushtetit që pretendon se është pranë qytetarëve.”
PDK-ja tash e pesë ditë po zhvillon aksion para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve. Partia opozitare po kërkon që Albin Kurti, si mandatar i Lëvizjes Vetëvendosje, të hapë rrugën për formimin e Qeverisë së re.

Lexo edhe:  VIDEO: Arusha ha 3 mijë euro mjaltë në Marec