Propozimi i KESCO-s për dyfishim të çmimit të rrymës
Pas mospranimit të subvencionit të zotuar nga qeveria në muajin shkurt të këtij viti, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO sot ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike. KESCO ka propozuar dyfishim të çmimit të energjisë.
Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat ndërsa tarifa e ultë të jetë 5.43 centë për kilovat.
Ndërsa nëse kalohen 800 kilovatë në muaj, për kilovatët e shpenzuar mbi këtë bllok, KESCO ka propozuar që tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ultë 11.09 centë për kilovat.
Sipas propozimit të KESCO-s, tarifa e lartë aplikohet nga ora 07:00 deri në orën 22:00, për periudhën 1 tetor deri më 31 mars. Ndërsa nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lartë aplikohet prej orës 08:00 deri në orën 23:00.
Ndërsa sipas tarifave të energjisë që kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt, Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.
Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.
Për kategoritë e tjera, tarifat e reja të propozuara nga KESCO mund t’i gjeni më poshtë.
Zyra e Rregullatorit të Eenergjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.
Kjo kërkesë është bërë si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës si dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.
“Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Sa i përket zotimit për subvencionin, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke kërkuar një zgjidhje teknike.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që t’i mbështes qytetarët nga një rritje e përballueshme, deri më tani kemi punuar në pauza për gjetjen e zgjidhjeve teknike operacionale për ta realizuar subvencionin. Është diçka që jemi duke punuar vazhdimisht dhe besojmë që do të ndodhë shumë shpejtë” – ka deklaruar ajo.
Në aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, nga KESCO kanë thënë se vazhdimisht kanë komunikuar me Ministrinë e Ekonomisë por që nga shkurti nuk kanë pranuar asnjë rimburësim dhe asnjë përgjigje se kur pritet të bëhen pagesat.
“Furnizuesi më 5 gusht 2022 ka pranuar edhe shkresën zyrtare nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me konfirmimin e përllogaritjes së subvencionit dhe në po të njëjtën ditë ka dërguar edhe faturën zyrtare për pagesat e muajt shkurt-prill 2022 konform vendimeve të Qeverise dhe në përputhje me miratimin e ATK-së në lidhje me përgatitjen e faturës përkatëse. Megjithatë, deri më sot, FSHU nuk ka pranuar asnjë rimbursim dhe njëkohësisht nuk ka marrë ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat në fjalë” – thuhet në aplikimin e KESCO-s të dorëzuar në ZRRE.
Sipas KESCO-s, situata e krijuar gjatë kësaj periudhe e ka detyruar të operoj nën-kosto.
“Furnizuesi më 5 gusht 2022 ka pranuar edhe shkresën zyrtare nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me konfirmimin e përllogaritjes së subvencionit dhe në po të njëjtën ditë ka dërguar edhe faturën zyrtare për pagesat e muajt shkurt-prill 2022 konform vendimeve të Qeverise dhe në përputhje me miratimin e ATK-së në lidhje me përgatitjen e faturës përkatëse. Megjithatë, deri më sot, FSHU nuk ka pranuar asnjë rimbursim dhe njëkohësisht nuk ka marrë ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat në fjalë” – thuhet në aplikimin e KESCO-s të dorëzuar në ZRRE.
Sipas KESCO-s, situata e krijuar gjatë kësaj periudhe e ka detyruar të operoj nën-kosto.
“Vlera e subvencionit e kalkuluar për konsumatorë sipas çmimeve të dërguara nga ZRRE-ja, për periudhën 9 shkurt-30 qershor 2022 ka tejkaluarën vlerën prej 32.8 milion eurove. Mungesa e rimbursimit të kësaj vlere të kalkuluar të subvencionit, tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së, duke mundësuar hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm” – vazhdon shpjegimi i KESCO-s.
Zyra e Rregullatorit të energjisë kanë thënë se janë duke shqyrtuar arsyeshmërinë e propozimit të KESCO-s dhe në ditët në vijim do të njoftojë publikun për veprimet që do të ndërmerren nga rregullatori.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Ekonomisë për mos ndarjes së subvencionit të zotuar në muajin shkurt për sektorin e energjisë por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.