Pronarit të “Salihaj Pharmacy” i arrestuar për shitjen e barnave pa banderola ia vjedhin 10 mijë € barna nga lokali në Pejë

Para rreth një muaji, Krimet Ekonomike kanë zhvilluar një aksion në shtatë barnatore në Prishtinë, ku në asistim me Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kryer kontrolle nën dyshimin se po bëhet shitja e produkteve farmaceutike të kontrabanduara, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët. Njëra ndër barnatoret  ku janë gjetur një sasi e barnave pa banderola është edhe “Salihaj Pharmacy”. Pikërisht në këtë biznes, në pikën që ndodhet në Pejë, hajnat para disa ditësh kanë kryer vjedhje të rëndë, raporton Gazeta Sinjali.

Pronari i kësaj kompanie, Gzonit Salihaj, më 13 mars përfundoi në prangat e Policisë, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ’prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, ‘kontrabandim i mallrave’ dhe “tregtia e ndaluar”. Atë ditë, Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar ndaj tij masën e ndalimit policor.

Por pa kaluar mirë një muaj, biznesi i Salihajt në Pejë, “Salihaj Pharmacy”, në rrugën “Hasan Prishtina”, u thye nga hajnat.

Gazeta Sinjali raportoi se më 10 prill, persona akoma të panjohur kanë arritur që duke e thyer murin të depërtojnë brenda barnatores dhe të kryejnë vjedhje të rëndë. Sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e pronarit të barnatores, hajnat kanë vjedhur barna në vlerë të rreth 10 mijë eurove, si dhe mbi 500 euro para të gatshme.

Me plan të detajuar, për t’i fshehur provat që mund t’i nxjerrin zbuluar, ata kanë arritur të vjedhin edhe pajisjen për incizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Sinjali mëson se pronari i barnatores ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin, ndërkohë që si rezultat i denoncimit, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme dhe procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Lexo edhe:  Çifti nga Zvicra vjen në Kosovë për të protestuar kundër Asociacionit