Pronari ishte jashtë vendit, hajnat ia bëjnë qyl shtëpinë në Podujevë – i vjedhin gjësende në vlerë të 10 mijë €

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në një shtëpi në Penuh të Podujevës, rast ky që u denoncua nga pronari.

Sinjali mëson se akoma nuk dihet data e saktë kur ka ndodhur rasti, pasi pronari nuk ka qenë në Kosovë, por jashtë vendit. Me t’u kthyer në shtëpinë e tij, ai e kuptoi se hajnat ia kishin “avulluar” disa stoli të arit, pajisje të punës e veshmbathje, në vlerë të rreth 10 mijë eurove.

Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku ia kanë demoluar dhomat dhe më pas janë larguar pa lënë ndonjë gjurmë.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Skandali në Spitalin e Vushtrrisë: Rrëfehet njëri nga pacientët, pretendon se Latifaj i kërkoi të holla para se të hynte në operacion