Pronari i ‘Pasta Fasta’ kap punëtorët në flagrancë duke keqpërdorur mallin, dyshohet se shkaktuan dëm rreth 40 mijë euro

Keqpërdorimet e shumta nga ana e punëtorëve në biznese të ndryshme po shkaktojnë humbje të mëdha, por edhe pasiguri. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në fshatin Konjuh të Lipjanit, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për depon e kompanisë ‘Pasta Fasta’, ku dyshohet se për muaj të tërë janë keqpërdorur dhjetëra mijëra euro mall.

Sinjali mëson se pronari i kompanisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas dyshimeve që kishte në dy punëtorë A.H. dhe L.H [babë e bir],  ka parë në pamjet e kamerave të sigurisë se ata kanë ngarkuar më shumë mall se që ishin porositë në fatura.

E sipas tij, ai ka arritur që t’i kap në flagrancë me më shumë sasi të mallit të cilin e kishin ngarkuar në automjetin e kompanisë që shërben për bartjen e porosive.

Burimet e Sinjalit bëjnë  me dije se vlera e dëmit të shkaktuar kap shifrën e rreth 40 mijë eurove, për çka dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për të t’u intervistuar lidhur me rastin.

23-vjeçari dhe babai i tij kanë pranuar se kanë kryer veprën për të cilën dyshohet dhe të njëjtit janë zotuar se do t’i kthejnë paratë të cilat i detyrohen pronarit të ‘Pasta Fasta’.

Sinjali ka provuar që të marrë një prononcim edhe nga drejtori i kompanisë, Talat Kelmendi, mirëpo i njëjti ka deklaruar se është i zënë dhe nuk ka kohë të përgjigjet në pyetjet e redaksisë.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku bëhet e ditur se të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, teksa rasti është cilësuar ‘Keqpërdorim i besimit’.

Lexo edhe:  Policia për vdekjen e 1 vjeçarit: Babai e shkeli me veturë në oborrin e shtëpisë

Ankuesi mashkull kosovar pronar i një kompanie ka raportuar se dy punëtorët e  tij të dyshuarit meshkuj kosovarë, nuk i kanë kthyer shitjen e një sasie të mallit edhe pse e kanë premtuar pronarin se parat do ia kthejnë me datë të caktuar. Dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.