Pronari i një kompanie në Vushtrri kërcënon 26-vjeçarin që u prezantua rrejshëm si punëtor i tij
Një person ka përfunduar gjatë ditës së djeshme në nën stacionin policor në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, pasi i njëjti është denoncuar për një rast të kanosjes.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është pronar i një kompanie dhe i njëjti ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese drejt një 26-vjeçari.
Motivi që shtyu 35-vjeçarin të kryejë këtë veprim, dyshohet të jetë fakti që 26-vjeçari ishte prezantuar rrejshëm si punëtor i kompanisë ku pronar është i dyshuari.
Si rezultat i denoncimit, pronari i kësaj kompanie është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka mohuar të ketë kërcënuar ankuesin, teksa ka deklaruar se i ka kërkuar atij që të mos prezantohet si punëtor i tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që ndaj të dyshuarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosja’.