Pronari i kompanisë për transport rrugor kërcënon inspektorin komunal në Pejë: Sherrin ki me ma pa

Nuk janë të rralla rastet kur inspektorët komunalë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në qytetin e Pejës, ku dyshohet të jetë përfshirë A.T., pronar i një kompanie për transport rrugor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se si shenjë pakënaqësie ndaj një gjobe të shqiptuar nga inspektori komunal, i dyshuari ka kërcënuar zyrtarin e Komunës së Pejës.

Ai dyshohet t’i ketë thënë se do ia shohë sherrin dhe për këtë i kishte dhënë ultimatum deri ditën e nesërme [sot].

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar 52-vjeçarin dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Një grua vdes në veturë teksa kalonte kufirin në Merdare