Prokuroria vërteton bastisjet krye në vete të Policisë: “Nuk na është ofruar kurrfarë prove”

Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar se nuk ka pasur dorë në bastisjet e kryera të mërkurën në disa komuna të Kosovës, ku u mbyllen rreth 30 objekte të strukuturave paralele serbe.

Asnjë kërkesë zyrtare nuk është paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për realizimin e bastisjeve nga Policia e Kosovës, tha sot Prokuroria në një njoftim për media.

Prokuroria tha se ajo nuk ka autorizuar bastisjet në dhjetë komuna të Kosovës, të cilat ndodhën mëngjesin e sotëm.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, para prokurorit të shtetit nuk është paraqitur asnjë kurrfarë prove për t’u krijuar “dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale” që bie nën kompetencën e saj.

Prokuroria tha se nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi, për shkak se nuk ka ekzistuar asnjë kërkesë nga Policia e Kosovës.

Prokuroria e ka cilësuar rastin si “shpërfillje të procedurave të nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale”.

“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi”, tha Prokuroria e Prishtinës.

Lexo edhe:  Fondacioni Golden Eagle dhuron mobilje për familjet e prekura nga vërshimet në Mitrovicë dhe Skënderaj

Prokurori i shtetit tha se është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, “gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi”.