Prokuroria Speciale po i heton 2 mijë kontrata njëburimore, përfshirë edhe tenderët për ndërtimin e urave në Ibër

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimin për tenderët e dhënë në ndërtimin e dy urave mbi Lumin Ibër.

Në fakt, PSRK-ja subjekt të hetimit i ka tenderët e negociuar (një burimor).

Zëdhënësja Arbnora Luta tha se janë 2 mijë kontrata të tilla.

Luta tha se për këtë janë angazhuar pesë prokurorë që do të merren me këtë punë.

“Prokuroria Speciale nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore”, tha Luta.

“Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, theksoi ajo.

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, tha ndër të tjera zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës Arbnora Luta

Lexo edhe:  Agim Bahtiri e uron Trumpin, e këshillon të mos i jap pozitë Grenellit