Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy mjekëve për marrje të ryshfetit në Spitalin e Gjilanit

Dy mjekë, një kirurg dhe një anesteziolog në Gjilan, janë arrestuar nga Krimet Ekonomike nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet. Anesteziologu, Halil Basha dyshohet se kishe kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu Luan Mustafa dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 shtesë.

E ndaj tyre, Prokuroria Themelore e Gjilanit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Ata janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit kundër dy personave – të pandehurve H.B. dhe L.M., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’, nga neni 421 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 Prill 2023, rreth orës 19:45 minuta, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, të pandehurit H.B. dhe L.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, si persona zyrtar, kanë përfituar për vete, në atë mënyrë që i pandehuri H.B. – anesteziolog, me rastin e operimit të pacientes, M.S., në repartin e kirurgjisë, ka kërkuar dhe marrë para nga familjarët e saj.

Gjithashtu, edhe i pandehuri L.M. – mjek kirurg, me rastin e operimit të pacientes së lartshënuar ka pranuar para nga familjarët e të njëjtës.

Të pandehurit janë arrestuar nga ana e zyrtarëve policor pas kryerjes së masës së simulimit dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Gjakovarja ngacmon një femër, arrestohet nga Policia