Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për 37-vjeçarin për fajde dhe bixhoz të paligjshëm

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.H., për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Për rastin mbrëmë ka raportuar Gazeta Sinjali, ku mësoi se bëhet fjalë për Akcan Haskuk, rreth 37-vjeçar, i cili është arrestuar mëngjesin e djeshëm pas një operacioni të zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari i kishte dhënë hua 800 euro viktimës S.M., ndërsa më pas i kishte kërkuar kthimin me kamatë të lartë dhe nën presion të vazhdueshëm, derisa u arrestua në flagrancë gjatë marrjes së shumës prej 5.000 euro.

Hetimet e deritanishme tregojnë se A.H. dyshohet edhe për organizim të lojërave të paligjshme të fatit, ku kishte përfshirë edhe vetë viktimën.

Prokuroria ka njoftuar se do të vazhdojë angazhimin për luftimin e veprimtarive të paligjshme dhe forcimin e sundimit të ligjit, në të gjitha rastet kur cenohet rendi juridik dhe siguria e qytetarëve.

Lexo edhe:  Gjendet pa shenja jete një burrë në Obiliq