Profesori amerikan për urat e reja në Mitrovicë: Shumë zhurmë për asgjë
“E gjithë kjo ‘zallamahi’ rreth dy urave relativisht të vogla më kujton dramën e Shekspirit ‘Shumë zhurmë për asgjë’”, kështu i ka përshkruar reagimet e shumta rreth dy urave të reja që po ndërtohen mbi lumin Ibër në Mitrovicë profesori dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Alon Ben-Meir.
Ben-Meir thotë se nuk e kupton pse ky projekt është politizuar deri në këtë masë, pasi llogaritet që ndërtimi i urave t’u shërbejë të gjitha komuniteteve.
“Nuk e kuptoj pse ky lloj projekti duhet të politizohet në shkallën që është politizuar. Ndërtimi i urave është, në kuptimin figurativ, i dobishëm për çdo komunitet, veçanërisht kur ka tensione ndërmjet tyre”, tha Ben-Meir për “Zërin”.
Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë të kërkojmë këshilla ose pëlqime nga komunitetet e përfshira për një projekt që, sipas tij, ndikon në zbutjen e tensioneve.
“Nuk pajtohem me ata që besojnë se Qeveria duhet të kërkojë këshilla dhe pëlqim nga komunitetet e përfshira, sepse, ndryshe, ndërtimi i këtyre urave mund të rrisë tensionet mes veriut dhe jugut të qytetit. Përkundrazi, të ashtuquajturat ‘urat e Kurtit’, siç i referohen serbët në veri, të cilat parashihen të lidhin Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, mund të ndihmojnë, të paktën deri diku, në zbutjen e tensioneve të vazhdueshme dhe shpesh në rritje mes dy anëve. Duhet theksuar se ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim, pavarësisht se është rindërtuar vite më parë, dhe urat e reja mund t’u shërbejnë të dy komuniteteve”, thotë profesori amerikan.
Ai thotë se fajin për politizimin e ndërtimit të urave në Mitrovicë e ka Qeveria e Serbisë, e cila nxit komunitetin serb të kundërshtoi projektin.
“Është e qartë se serbët e Kosovës kundërshtojnë ndërtimin e urave dhe preferojnë të mbajnë gjallë tensionin, thjesht sepse nuk duan t’i pajtojnë dallimet e tyre. Për më tepër, nëse Albin Kurti po e përdor këtë ndërtim të urave si pjesë të fushatës së tij zgjedhore përpara zgjedhjeve lokale, kjo është e parëndësishme. Unë besoj se po të mos ishte për nxitjen nga qeveria e Serbisë ndaj komunitetit lokal serb, e gjithë kjo zhurmë nuk do të kishte ndodhur”.
“Në fund të fundit, këto ura po ndërtohen në territorin e Kosovës dhe qëndrimi i BE-së është se ndërtimi i infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të bëhet me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, por pretendimi se përfshirja e plotë e të gjitha komuniteteve të prekura është detyrim i domosdoshëm, është jashtë kontekstit. Në ç’mënyrë, mund të pyesë dikush, këto ura — një për automjete dhe tjetra për këmbësorë — mund të dëmtojnë ndonjë komunitet? Dhe së fundi, pse kjo zhurmë po ndodh tani, kur urat janë më shumë se gjysma e përfunduara, e jo kur projekti filloi?”, ka thënë Ben-Meir.