Prizrenasi i shkon 12-vjeçares në shtëpi kur s’e kishte familjen, dyshohet se tentoi ta dhunojë

Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë.

Numri i rasteve të tilla ka marrë përmasa shqetësuese dhe në shumicën prej tyre viktima janë edhe të miturat, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur. Këto ngjarje të tmerrshme jo rrallëherë ndodhin edhe në vende e hapësira publike, duke cenuar kështu sigurinë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është denoncuar të ketë ndodhur në Prizren, ku një burrë 38-vjeçar dyshohet se ka shkuar te një shtëpi ku ndodhej vetëm një vajzë e mitur, të cilën ka tentuar ta dhunojë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 12-vjeçare, e cila ishte e vetme pasi anëtarët e familjes s’i kishte në shtëpi, kur i dyshuari e shfrytëzoi rastin dhe tentoi që të kryejë marrëdhënie seksuale me të.

Për gjithë ngjarjen është deklaruar nëna e viktimës por edhe vajza, e cila para hetuesve policorë ka rrëfyer detajet e ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, organet e rendit janë vënë në dijeni dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ndërkohë që i dyshuari është dorëzuar vet në Polici.

I njëjti është intervistuar dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit si “Tentim dhunim”.

Lexo edhe:  Këto vende do të mbesin pa energji elektrike