Prishtinë: I riu përdorues i narkotikëve sulmon fizikisht vëllain e tij, e bën për spital

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Si pasojë e kësaj ndodhin edhe shumë raste të dhunës në familje, ku viktima janë prindërit, bashkëshortët e anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën ‘Viktor Mayer’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

Sinjali mëson se 22-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se vëllai i tij është përdorues i substancave narkotike dhe i njëjti ka sjellje agresive. Bazuar në dëshminë e tij, 24-vjeçari e ka sulmuar duke e goditur me grushte në kokë, teksa ka tentuar ta sulmojë edhe nënën e tyre.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, 24-vjeçari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Në 15 vjetorin e Pavarësisë, ish-ushtari i UÇK-së e nis djalin e tij për në Gjermani