Prishtinë: Burri i mori 8 mijë € me interes dhe u ‘zhduk’, fajdexhiu i shkon gruas së tij dhe ia kërkon edhe 35 mijë euro

Dukuria e fajdesë, që nënkupton huazimin e parave të cilat më pas duhet të kthehen me interes shumë të lartë, përveç se përbën vepër penale, është mjaft shqetësuese dhe e rrezikshme.

Të tilla raste janë shumë të shpeshta në vendin tonë dhe kjo po dëshmohet me arrestimin e personave që përfshihen në këtë veprimtari. Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hapur rast pas raportimit të një gruaje.

Si rezultat i denoncimit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për fajde.

Siç merr vesh Sinjali, ankuesja kërkoi ndihmën e Policisë pasi fajdexhiu që i kishte dhënë para me interes bashkëshortit të saj, i ka shkuar te shtëpia dhe i ka kërkuar një shumë të të hollave.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se burri dyshohet se i kishte marrë 8 mijë euro me fajde, për çka i janë kthyer të dyshuarit rreth 10 mijë euro.

Por, burri i 38-vjeçares është ‘zhdukur’ më pas dhe nuk ka shkuar në shtëpi qe një kohë, ndërsa gjatë kësaj periudhe gruaja e tij është përballur me fajdexhiun.

Sipas dëshmisë së saj, të dhënë para hetuesve policorë, personi i dyshuar po i kërkon edhe 35 mijë euro nga ajo, situatë kjo që i ka shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.

E njëjta ka rrëfyer gjithë rastin në Polici dhe po ashtu e ka konfirmuar që burri i saj s’ka qenë në shtëpi që rreth 1 vit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme për të siguruar prezencën e të dyshuarit.

Lexo edhe:  Befason nipi i Ismail Qemalit, thotë se Ismaili ka qenë mason