Prishtinasi e kërcënon ish të dashurën pasi u ndanë, përfundon në Polici pasi u denoncua

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo po dëshmohet çdo ditë me numrin e këtyre ngjarjeve që denoncohen në Polici, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar së fundmi nga një 24-vjeçare në Prishtinë, e cila e ka denoncuar personin me të cilin ka qenë në lidhje dashurie për një kohë dhe kanë bashkëjetuar.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se është kërcënuar seriozisht nga ish i dashuri përmes telefonit, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.

Përballë kësaj situate, e njëjta ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale ‘Dhuna në familje’.

Lexo edhe:  Qendra për Punë Sociale për rastin e 11-vjeçares: I kemi ofruar përkrahje e strehim