Prishtinasi e jep Golf-in dhe BMW-në të 65 mijë € si kapar për një marrëveshje, i dyshuari ia shet për t’i shlyer borxhet e veta

Marrëveshjet që lidhen për punë të ndryshme në vendin tonë jo rrallëherë dalin të jenë vetëm mashtrime, me qëllim përfitimin e  shumave të majme të parave. Qytetarë të shumtë shpesh bien pre e mashtruesve, të cilët arrijnë t’i vënë në lajthitje dhe t’ua kapin sado pak para apo edhe gjësende me vlerë. Raste të tilla tashmë janë bërë të zakonshme dhe në shumicën prej tyre bëhet fjalë për mijëra e miliona euro, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas denoncimit të një 27-vjeçari, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është mashtruar nga një person me të cilin kishte lidhur marrëveshje.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për dy vetura, që kapin vlerën  e 65 mijë eurove, të cilat viktima ia ka dhënë të dyshuarit si paradhënie për të siguruar kryerjen e disa punëve që lidhen me dy shtëpi.

Në vend të parave, i riu ia ka dhënë të dyshuarit si kapar, automjetet GOLF 8 dhe BMW, të cilat ai ka pasur për t’ia kthyer në momentin që do të përfundonte marrëveshja mes tyre. Por bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari nuk është bërë i gjallë nga ai moment dhe veturat dyshohet se i ka shitur.

Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se ka kryer punët e tij, duke i shfrytëzuar ato vetura. Të njëjtat burime thonë se i njëjti i ka shitur automjetet për t’i shlyer borxhet e tij.

Si rezultat i denoncimit dhe nisjes së hetimeve, është intervistuar edhe i dyshuari, i cili i ka pohuar pretendimet e viktimës dhe ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Mashtrim” dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore.

Lexo edhe:  Përleshje mes punëtorëve të shkollës “Naim Frashëri” në Podujevë, 58-vjeçari përfundon në pranga