Prishja e ashensorit në një banesë në Emshir: Pesë gra nga një familje të lënduara, njëra thyen këmbën

Incidentet që ndodhin në ndërtesa kolektive si pasojë e ashensorëve nuk janë të rralla. Shpesh qytetarët janë bllokuar, qoftë për shkak mungesës së energjisë apo edhe defekteve të tjera. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Emshir, në një banesë në rrugën ‘Hisni Gashi’, ku ashensori ka rënë nga kati i dytë në bodrum dhe për pasojë gjashtë persona janë lënduar, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e ka konfirmuar rastin, ndërkohë që Sinjali ka mësuar detaje të reja. Sipas burimeve brenda QKUK-së, një ndër viktimat është një vajzë e mitur, ndërsa gratë e tjerë që pësuan lëndime trupore janë nga 38 deri në 75-vjeç, familjare mes vete.

Sinjali mëson se njëra prej të lënduarave ka thyer këmbën, teksa viktimat e tjera kanë pësuar lëndime më të lehta dhe kanë marrë trajtim mjekësor në spital.

Pas denoncimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë. Përveç tyre, ekzaminime janë kryer edhe nga inspektorët e komunës, me ç’rast është intervistuar menaxheri i kompanisë që merret me mirëmbajtjen e liftit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

Lexo edhe:  “Rasti Kiqina”, Ramadani: Drejtësia është përdorë për t’i fshehur vrasësit e vërtetë