Postimi prekës i mitrovicasit Gylshen Potoku, pas humbjes së motrës dhe dhëndrit në aksidentin tragjik në Çubrel: Sikur të dija se është dreka e fundit me juve sot

Aksidenti tragjik i ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Çubrel, në rrugën magjistrale Mitrovicë – Pejë, ka marrë jetën e tre anëtarëve të familjes Gashi: Zarife Gashi (70 vjeç), Agim Gashi (50 vjeç) dhe Gyltene Potoku-Gashi (48 vjeç), e cila ishte mësuese nga Mitrovica.

Ngjarja ka tronditur qytetarët e Mitrovicës dhe më gjerë, ndërsa familjarët e viktimave kanë ndarë dhimbjen e tyre të thellë për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Një prej mesazheve më prekëse vjen nga vëllai i Gyltenes, i cili ka shprehur dhimbjen e madhe.

“Sikur të dija se është dreka e fundit me juve sot, do ta zgjasja deri në pafundësi. Të dini se s’do ta kem jetën e njëjtë pa ju të dy, engjëjt e mi që ma keni këput shpirtin.
Lamtumirë motër, Lamtumirë dhëndër. S’do ju harroj kurrë, deri në takimin tonë të radhës.”, ka shkruar Gylsheni.

Aksidenti, i cili përfshiu dy automjete – njëra prej tyre zyrtare e policisë – ka lënë gjithashtu të lënduar pesë persona, katër prej të cilëve janë zyrtarë policorë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:40.

Lexo edhe:  Arrestohet çifti i moshuar kosovar në aeroportin e Shtutgartit, me vete kishin mbesën 8-vjeçe