Policia zbulon një rast të kontrabandimit me migrantë, kapen gjashtë të huaj pa dokumente

Kontrabanda me migrantë po vazhdon të jetë temë shqetësuese në vend. Duke u bazuar në ligjin për kontrabandimin me migrantë, personat që kryejnë këtë vepër mund të dënohen me gjobë dhe me burgim prej 2 deri 10 vjet. Së fundmi, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar një rast të kontrabandimit me migrantë në Jarinje të Epërme.

Siç njofton Policia, në një veturë janë hasur gjashtë shtetas të huaj pa dokumente.

“Njësitë policore gjatë një pike kontrolli kanë ndalur një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në veturë janë hasur gjashtë persona shtetas të huaj pa dokumente. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt, ndërsa viktimat trajtohen nga njësia e Migrimit”, njofton policia.

Ndryshe, Gazeta Sinjali ditë më parë ka raportuar për arrestimin e një personi të dyshuar për kontrabandim me migrantë dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

I arrestuari Adnan Krasniqi, dyshohet se është anëtar i këtij grupi, që bashkëpunon me një grup nga Shqipëria, për t’i sjellë në Kosovë shtetasit nga Bangladeshi.

Hyrja e tyre e kundërligjshme në territorin e Kosovës është bërë me plan të detajuar, ashtu që i kanë lënë migrantët te kufiri dhe nga aty janë marrë nga anëtarët e grupit në Kosovë. Të njëjtit më pas janë dërguar të kufiri me Serbinë.

Gjithë kjo punë që është kryer nga së paku 4 persona në Kosovë është paguar deri në 300 euro nga migrantët, të cilët kanë pasur qëllim që ta shfrytëzojnë Kosovën si vend tranzit për kalim në shtetet e BE-së.

Lexo edhe:  Tragjike për dy familjet: Këta janë dy të rinjtë që humbën jetën sot në aksidentin në Shirokë