Policia për 3-vjeçarin që u keqtrajtua në çerdhe: Po shqyrtohen dhe po analizohen raportet mjekësore dhe pamjet
Policia e Kosovës ka deklaruar se është informuar në lidhje me rastin e rrahjes së 3-vjeçarit në një kopsht në Fushë Kosovë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë Kosovë.”
Nga PK kanë thënë se kanë filluar hetim preliminar për çështjen në fjalë, duke shtuar se po shqyrtohet raportet mjekësore dhe pamjet e publikuara.
“Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato.”
Policia ka deklaruar se po koordinohen me prokurorin e shtetit dhe po punojnë me agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse.
“Veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse. Ndonëse e kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë me nevojën për të mbrojtur integritetin e hetimit.”
“Për ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit.”