Policia nuk u zu në befasi nga dorëheqjet, së shpejti diplomojnë mbi 400 kadetë

Në muajin shkurt të vitit 2023, Policisë së Kosovës do t’i shtohen edhe 438 kadetë të rinj, të cilët janë duke kryer trajnimet themelore deri te diplomimi.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Klankosova.tv, Policia e Kosovës, e cila mes tjerash tha se ekziston edhe lista e pritjes me afro 500 kandidatë.

“Trajnimin themelor janë duke e ndjekur 438 kadetë të cilët do të diplomojnë në muajin shkurt 2023”, tha PK-ja, ku më pas ka sqaruar edhe listën e pritjes. “Lista e pritjes e ka afatin dy (2) vjeçar dhe aktualisht janë 471 kandidatë në listën e pritjes”.

Në përgjigjen për Klankosova.tv, nga policia thanë se tani për tani nuk do të ketë konkurs të ri, mirëpo theksuan se kjo varet nga nevojat operacionale për staf dhe pas përfundimit të listës së pritjes.

Situata aktuale në veri i ka shtyrë forcat e rendit që të bëjnë lëvizje në atë zonë. Pas dorëheqjeve, në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, Policia e Kosovës ka nisur të rrisë gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë për Klankosova.tv, se policia ka kapacitete të mjaftueshme edhe për zëvendësimin e të dorëhequrve në katër rajonet veriore të vendit.

Ai ka thënë, se në takimet në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti, delegacionit serb dhe BE-së, përmes ndonjë marrëveshjeje eventuale, policët e thjeshtë mund të kthehen në vendin e tyre të punës.

“Realisht, situata është mjaftë e tensionime në veri dhe varet nga vendimet e Qeverisë dhe veprimeve të përgjithshme të Drejtorisë, se cilat do të jenë veprimet do të marrin karshi situatës atje. Me informatat që unë i kam, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka dërguar disa njësi policore nga drejtoria rajonale nëpër katër stacionet policore në veri. Ata janë duke kryer punë të sigurimit fizik të stacioneve policore dhe ndonjë patrullë në terren. Ende nuk dihet si do të veprohet, a do të zëvendësohen me gjeneratë të re, të cilët janë nga pjesa jugore e vendit apo do të pritet që me ndonjë marrëveshje eventuale në Bruksel që të kthehen prapë në vendin e tyre të punë”, ka thënë Qalaj.

Lexo edhe:  Ky është drenicasi që u dënua me 11 vjet burg për vjedhjen e 2 milion eurove

Juridikisht, ish-drejtori i Policisë tha se eprorët rajonalë të dorëhequr nuk mund ta kenë fat kthimin në pozitën ku kanë qenë.

“Juridikisht ka gjasa që ata të kthehen në vendet e tyre të punës, po flasim për policët e thjeshtë, jo për eprorët e tyre dhe jo për drejtorët rajonalë. Drejtorët rajonalë nuk mund të kthehen në asnjë mënyrë”, ka sqaruar ai.

Pas dorëheqjeve masive të komunitetit serb nga ky institucion, u bë e ditur se policia ka plane operative për raste të paparashikuara që mund të ndodhin brenda institucionit. E për këtë shkak, Qalaj thotë se nuk ekziston mundësia që të ketë mungesë të stafit policor.

“Ekzistojnë edhe planet operative qysh para 4-5 viteve që në rast se ndodhë diçka, pjesa tjetër të mund të zëvendësohet. Unë mendoj se policët e thjeshtë do të kthehen në vendin e tyre të punës, por krejt kjo varet nga qasja e qeverisë dhe nga beteja që po zhvillohet edhe dje edhe sot në Bruksel”, u shpreh ai.

Rekrutimin e policëve, ky institucion e ka të rregulluar me ligj, ku është i vendosur edhe numri tavan i lejuar.

“Çështja e rekrutimit është e rregulluar me udhëzim dhe me ligj, e cila nuk mund të ndryshohen. Policia e Kosovës e ka të rregulluar çështjen e rekrutimit të policëve, pra është numri i përcaktuar tavan dhe policia nuk mund të dalë nga ai numër. Mirëpo, ligji për pensionimin e parakohshëm për policë do t’i kishte ndihmuar shumë policisë për policë të ri”, u deklarua Qalaj, duke komentuar se policia ka “numër të madh të policëve me sëmundje të rënda të cilët nuk mund të kyçen në operacione”.

“Policia e Kosovës ata i ka numër, por nuk janë në shërbim. Pra, nëse policia dhe qeveria kanë vullnet duhet ta shtyjnë ligjin për pensionim të parakohshëm në mënyrë që ata të kenë një pension të dinjitetshëm dhe të shtohet numri i policëve në shërbim”, ka thënë në fund ai.

Lexo edhe:  Bislimit për “shkaqe sigurie” nuk i lejohet hyrja në Beograd

Kujtojmë, se 578 policë të nacionalitetit serb, që operojnë kryesisht në komunat veriore të Kosovës, dhanë dorëheqje në shenjë revolte për suspendimin e komandantit rajonal Nenad Gjuriq, i cili nuk iu bind vendimit të Qeverisë për qortimin e qytetarëve serbë që lëvizin me targa ilegale serbe.